Dueli italo-gjerman, nisin përplasjet mes tifozërive

Lacio-Ajntraht Frankfurt është një ndeshje pa rëndësi në fushën e blertë, por ndryshon puna në shkallët e stadiumit. Përballja e Europa League nis në orën 18:55, të dy ekipet e kanë siguruar kualifikimin, ndërsa autoritetet italiane janë në gatishmëri.

Ajntrahti do të vijë në këtë takim me 9 mijë tifozë, të cilët mbështeten dhe nga rreth 400 ultras të Atalantës. Ndeshja e parë prodhoi disa përplasje në Frankfurt, ndërsa presidenti i klubit gjerman paralajmëroi tifozët e tij të mos shkonin në Romë.

Qëndroni në shtëpi. Në Romë ka një grupim ekstremistësh, të cilët janë të egër dhe të vështirë për t’u menaxhuar.” Megjithatë, ultrasit nga Frankfurit nuk kanë pyetur, janë nisur në masë drejt kryeqytetit italian dhe kanë regjistruar incidentet e para.

Siç raporton “Gazzetta dello Sport”, gjatë mbrëmjes së djeshme janë regjistruar përplasje mes tifozëve italianë dhe gjermanë në qendër të Romës. Një lokal është dëmtuar, madje ka patur dhe hedhje fishekzjarrësh. Policia ka ndërhyrë, ndërsa ka gati dhe planin për evitimin e përplasjeve të tjera.

Tifozët e Ajntrahtit kanë pushtuar rrugët e Romës. Ata do të shoqërohen nga policia dhe stjuartë në stadium, por nuk përjashtohen incidente me lacialët vendas, të cilët nuk përtojnë kurrë të krijojnë trazira me kundërshtarët. Aq më tepër kur ata janë gjermanë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *