Mbetën edhe 2 ndeshje nga fundi i Premier League! Trajneri i Fulhamit nuk tregohet “njerëzor” me Armando Brojën, nuk do t’ia dijë as për EURO24

Në merkaton e janarit, Armando Broja do të bindej në minutat e fundit për të shkuar te Fulham, pavarësisht interesimeve nga shumë ekipe të Premier League. Ekipi i Chelsea u impenjua vetëm në rastin e shqiptarit, aq sa i dështoi largimi i Sarr në Francë pasi ishin të përqendruar te lojtari i Kombëtares tonë.

Por fati i keq e ndoqi Brojën, teksa me afrimin e tij do të shpërthente edhe Muniz. Në ditën e sotme Fulham do të përballet kundër Burnley dhe sërish sulmuesi ynë gjendet në stol. Kur kanë mbetur edhe dy ndeshje të tjera nga fundi i kampionatit, Broja nuk e gjen ende veten titullar, për të paktën një ndeshje që nga transferimi i tij.

Nga krahu tjetër Fulham e ka siguruar mbijetesën në Premier League dhe nuk sheh asnjë rrezik për rënie nga elita. Kjo tregon qartë se diçka “kërcet” në marrëdhënien e trajnerit me lojtarin, teksa Silva pavarësisht ngjeshjes së kalendarit ka mbajtur të paprekshëm Munizin. Silva nuk dëshiron të tregohet “njerëzor” me Brojën për ta provuar një ndeshje si titullar, në një kohë të parrezikshme, pavarësisht afrimit të EURO24. /Sport EKspres/