Cungu zyrtarizon: Qëndroj te Vllaznia

Gaspër Marku

Nuk ka më dilema për opinionin sportiv shkodran. Armando Cungu do të jetë trajner i Vllaznisë edhe për sezonin e ardhshëm. Konfirmimi vjen nga vetë tekniku kuqeblu, në një prononcim të gjatë të dhënë një ditë pasi kishte mbërritur në Shkodër, pas pushimit disaditor me familjen në Greqi. Gjatë kësaj periudhe ka pasur shumë hamendësime, jo vetëm për të ardhmen e Cungut, por edhe për tema të tjera, që kanë të bëjnë me Vllazninë. Në intervistën e mëposhtme Cungu flet për gjithçka, por më e rëndësishmja është se konfirmon qëndrimin e tij.
– Profesor Cungu, shumë diskutime për Vllazninë, sidomos për pozicionin tuaj. A do ta vazhdoni të qëndroni në stolin kuqeblu?
– Cungu ka një kontratë edhe për një vit me Vllazninë, por kontrata është e tillë, që unë kam të drejtë ta rishikoj atë. Nuk bëhet fjalë për aspektin financiar, por bëhet fjalë për ambiciet e klubit për sezonin e ardhshëm. Cungut nuk i ka munguar kurrë dëshira dhe respekti për të kontribuuar për Vllazninë, për të qenë pjesë e saj. Vllaznia është në zemrën time, Shkodra është në zemrën time. Jam djalë Shkodre, i dalë nga ky qytet dhe moralisht kam detyrën t’i shërbej Shkodrës. Si çdo shkodran i mirë që ka kontribuuar për Vllazninë, edhe kur ajo ka problemet e veta, duhet t’i gjendem pranë. Cungut nuk i ka munguar kurrë dëshira për të qenë pjesë e Shkodrës.
Pak ditë më parë kryebashkiakja Ademi iu konfirmoi publikisht, jo vetëm nga kontrata, por edhe nga puna që keni bërë…
– E falënderoj kryetaren e bashkisë për mbështetjen. Jam munduar të bëj më të mirën time dhe jam krenar për punën që kam bërë te Vllaznia. Jam krenar për djemtë e ekipit dhe pjesëtarët e klubit, pasi me vështirësitë e saj, Vllaznia ka bërë një kampionat shumë të mirë. Shumë njerëz mund të jenë kundër, por unë flas me përgjegjësi dhe seriozitet e fakte. Vllaznia ka shkuar përtej pritshmërive. Dua të jem i sinqertë, pasi skuadra ka qenë më mirë se kampionatet e kaluara. Shpëtuam në javën e fundit, në fakt, por fati na vuri në një situatë të tillë. Rendimenti i ekipit nuk ishte i tillë, sepse Vllaznia ishte që fazën e tretë më 39 pikë. Ka bërë lojëra shumë të mira dhe ishte në vend të 4-t. U fol për një Vllazni europiane, që nuk kishte ndodhur për shumë vite më përpara. Çuditërisht, pas dy javëve të para të fazës së 4-t, pas barazimit në Kukës, ku Vllaznia meritonte fitoren, dhe barazimit me Partizanin, skuadra u shpërfytyrua. K pasur mungesë serioziteti dhe përgjegjësie nga ndonjë individ, gjë që e kam thënë dhe nuk kam asnjë ndrojtje për ta ritheksuar. Na duhej një pikë për të siguruar mbijetesën, por ekipe që thuajse nuk kanë marrë pikë gjatë gjithë sezonit, në 5-6 javët e fundit merrnin fitore. Vllaznisë nuk i jepej mundësia për të gjetur asnjë pikë askund. Kështu ishte situata me individë të caktuar dhe nuk e kam fjalën për pjesën e shëndoshë të ekipit. Jam shumë i kënaqur dhe i falënderoj lojtarët, por persona të veçantë e çuan situatën deri në ndeshjen e fundit me Tiranën. Çka nuk e nderon futbollin shqiptar, jo vetëm Vllazninë, por as Tiranën. Me kualitetet e tyre këto skuadra nuk e meritonin.
– Pritet prej ditësh me interes analiza te Vllaznia. Kur do të zhvillohet?
– Në fakt, kam pasur një takim me z.Gjyrezi, të cilin dua ta falënderoj publikisht, pasi është personi i vetëm, që i ka qëndruar më afër se askush tjetër Vllaznisë, mua dhe sportistëve, me mundësitë që ka pasur. Ai ka qenë i gatshëm në çdo moment. I kam kërkuar të bëhet një analizë, ku të jetë edhe kryebashkiakja, që të flasim troç, pa dorashka. Nuk është fjala për të nxjerrë shkaktarët para gjyqit, por për të bërë një analizë të saktë pse përfunduam në 5 javët e fundit në atë situatë. Çudia më e madhe është se sot që bisedojmë, Vllaznia është ne vend të 7-të, me pikë të barabarta me vendin e 5-të. Gjashtë javë kemi vuajtur për një pikë, që e morëm në ndeshjen e fundit me Tiranën. Të tjerët merrnin 3-pikësha pa u ndalur.
– Bashkëpunimi i Cungut me Vllazninë do të vazhdojë?
– Kam firmosur një kontratë afatgjatë dhe nuk më ka detyruar kush. E kam bërë me kënaqësinë më të madhe, që të kontribuoj për Vllazninë edhe në momente të vështira. Nuk më kanë munguar ofertat edhe verën e kaluar dhe as sot, por i kam refuzuar. Kasm pasur oferta shumë joshëse dhe e kam bërë me vetëdije. Cungu nuk ka ikur kurrë prej Shkodrës, nuk e ka dëshiruar kurrë. Ndoshta Shkodra më ka detyruar për të ikur prej saj. Kryetarja e ka shprehur dëshiron të vazhdoj, por ka edhe diçka. Përtej dëshirës së saj apo të Cungut, kërkohet një garanci, jo financiare, sepse Vllaznia në këtë drejti nuk ka vuajtur, të jemi korrektë. Bashkia ka kontribuuar për futbollin dhe i jam mirënjohës, por nuk mund të ketë financa shumë të shëndosha për një ekip kompetitiv. Flas pa doreza, futbolli kërkon investime të mëdha. Vllaznia nuk e ka luksin për të mundur Kukësin, Skënderbeun dhe Partizanin apo Flamurtarin. I them këto, që t’i kuptojnë qytetarët e Shkodrës. Kjo është Vllaznia momentale, këto janë mundësitë e klubit.
– Keni qenë disi i rezervuar në fund të kampionatit. Pse?
– Në momente të caktuara, prej indinjatës, kam pasur pakënaqësi për atë çfarë ka ndodhur me Vllazninë. Një ditë para ndeshjes me Flamurtarin në grup diçka ka ndodhur në ekip dhe më pas ecuria nuk ka qenë aspak e mirë. Individë të caktuar janë tallur me Vllazninë dhe nuk kam për t’ua falur kurrë për stresin që kam kaluar unë, familja ime dhe çdo shkodran i mirë. Nuk imagjinohet që nga vendi i 4-t, për 5 javë rresht nuk marrim pikë. Mund të shikoni filmimet e ndeshjeve si janë pësuar golat.
– Si e mendon Cungu Vllazninë e ardhshme?
– Në fakt, Cungu mendon gjëra të mëdha, por mundësitë janë të ndryshme. Edhe sezonin e kaluar kam paraqitur një letër me lojtarë të pozicioneve të ndryshme, të cilët i duhen Vllaznisë. Kam dashur lojtarë, të cilët mund të bëjnë diferencën dhe të kishim një Vllazni më të mirë, por kjo nuk është bërë e mundur as në vere dhe as në janar. Jo për faj të Cungut dhe as të drejtuesve, por për shkak të mundësive dhe buxhetit të klubit. Nëse duam që Vllaznia të bëjë progres, cilësia paguhet. Lojtarët preferojnë Partizanin, ndoshta edhe Tiranën, Kukësin, ndërsa Vllaznia mbetet shumë prapa zgjedhjeve të tyre. Kemi kontaktuar shumë futbollistë, edhe shkodranë, por nuk i kemi marrë.
Ditët e fundit po flitet shumë për një Vllazni shkodrane. A mendon Cungu se duhet të jetë kështu, pra të ketë pak përforcime?
– Dua një Vllazni shkodrane, nuk jam kundër dhe nuk flas kundër “jabanxhinjve” që kemi pasur në ekip. Jam kundër atyre që e përbalten fanellën e Vllaznisë në momente të caktuara. Do të ndërhyjmë në ekip dhe qejfi është të kemi shkodranë, por në pozicione të ndryshme nuk mund të gjejmë ata që duan. I vetmi ekip me vendës është vetëm Atletiko Bilbao, një ekip bask. Dëshira është për shkodranë, por kur mundësitë nuk do të jenë, do të kërkojmë të tjerë.

One thought on “Cungu zyrtarizon: Qëndroj te Vllaznia

  1. hahahahah,po ti nuk je trajner qe je ne treg dhe po te kerkojne ekipe te tjera.Asnje President nuk te merr ne ate detyre ,ben si gore neper intervista ,kush mund te lejoje.Prandaj rri se mire aty,deri ne momentin qe te privatizohet Vllaznise,pastaj e shohim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *