Besim dhe mentalitet, Spaleti karikon skuadrën para finales me Empolin

Fatet e sezonit të Interit kalojnë nga skuadra e Empolit. Zikaltrit i kanë hapur punë vetes. Në pesë ndeshjet e fundit ata regjistrojnë vetëm një fitore, duke e komplikuar situatën në maksimum. Milani dhe Roma qëndrojnë gati për të përfituar nga një hap fals i mundshëm i ekipit të drejtuar nga Luçiano Spaleti.

Trajneri italian ka dalë sot para media për të treguar gjëndjen e skuadrës para ndeshjes “finale” të ditës së nesërme. Ai e konsideron një finale dhe e krahason me ndeshjen e sezonit të kaluar ndaj Lacios. Spaleti shprehet se ekipi dhe ai janë të qetë dhe të gatshëm për të dhënë maksimumin. Nuk tregon shumë në lidhje me balotazhin mes Ikardit dhe Lautaro Martinezit.

“Kjo ndeshje është e njëjta me atë të Lacios në vitin e kaluar. Është një ndeshje që luhet fati i gjithë sezonit. Empoli është në formë të mirë në këtë fundsezon. Ne duam të provojmë edhe një herë se kemi potencialin për t’ja dalë neser. Të tregojmë versionin më të mirë tonin. Them se djemtë janë të stërvitur për këto situata.”

“Lojtarët dhe unë ndihemi mirë sepse po luftojmë për të luajtur në Champions për vitin e dytë radhazi. Do të bëjmë ndeshjen tonë dhe të shohim nëse do jemi në Champions apo Europa League. Të besojmë te vetja dhe të kemi një mentalitet të fortë për të bërë të mundur qëllimin tonë.“

‘De Vrij dhe Politano janë gati. Ikardi dhe Lautaro janë të dy të gatshëm për këtë ndeshje. Kanë karakter të fortë dhe mund të ndikojnë në fatin e ndeshjes. Shumë lojtarë që e meritojnë të jenë në fushë nesër, do të jenë aty”, përfundoi Spaleti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *