Mario Baloteli është zyrtarisht lojtar i Marsejës. Sulmuesi italian ka nënshkruar një kontratë të shkurtër 6-mujore me ekipin marsejez, pasi Patris Viera e largoi me forcë nga skuadra e Nisës. Baloteli ka luajtur për shumë skuadra në Evropë dhe me vitet e arta që po i kalojnë, kjo lëvizje pasqyron saktë zhvillimet e karrierës së “SuperMarios”.
Te Interi, konsiderohej si talenti më i madh italian, por lëvizja te Mançester Siti dhe zënkat me Mançinin bënë që karriera e tij të pësonte një rënie të lirë. U rikthye te Milani, ku ishte lider i skuadrës, por zgjodhi të largohej sërish drejt Premier Ligës, ku dështoi me ekipin e Liverpulit.
U rikthye te Milani si huazim gjashtë muaj, më pas përfundoi te Nisë. Me kombëtaren e Italisë, i ka “shkëputur” raportet dhe tashmë, e sheh veten te Marseja. Mediat franceze janë të bindura se nëse ekipi marsejez nuk do të kishte probleme në sulm, as nuk do të kishin hedhur sytë nga Baloteli. Një mëkat për një futbollist që dikur konsiderohej si shpresa e Italisë.
Te Marseja, Baloteli ka marrë numrin 9, fanellë që është mbajtur nga një prej lojtarëve më të mirë francez, Zhibril Sise’. Ndoshta, “SuperMario” do të përsërisë lavdinë që Sise’ përjetoi me skuadrën marsejeze.