Totenhemi kalon me sukses një pjesë të turit të forcës, duke fituar 3-2 përballë Ulvërhemptonit, në ndeshjen e tretë të luajtur në harkun e gjashtë ditëve. Një sukses i rëndësishëm ai i “Spurs” në trasfertë, por që në fund rrezikoi të komplikohet.
Skuadra e Poçetinos e pa veten në avantazhin e tre golave pas vetëm një ore lojë. Lamela zhbllokoi rezultatin, ndërsa Lukas dyfishoi shifrat përpara pushimit ndërmjet pjesëve. Në minutën e 61-të, për Totenhemin shënoi edhe Harri Kejn, me yllin e sulmit që u kthye te goli.
Megjithatë, ndeshja e londinezëve u komplikua, pas dy 11-metërshave të shkaktuar nga debutuesi Huan Fojth në harkun e nëntë minutave. Neves realizoi i pari me penallti në të 68-ën, ndërsa pas tij edhe Himenez.
Dy lojtarë të ndryshëm që ekzekutuan, e që në të dy rastet nxorrën jashtë loje portierin Hugo Loris.
Me fitoren e arritur, Totenhemi ngjitet në vendin e katërt në renditjen e Premier Ligës, në kuotën e 24 pikëve. “Spurs” barazojnë përkohësisht Çelsin, që ka një ndeshje për të luajtur, ndërsa e shohin veten 3 pikë larg kryesuesve të Liverpulit.