Skuadër me “cojones”, Barcelona vuan dhe përmbys me “dhunë”

0

Tre minuta çmendurie. Tre minuta për t’u shfaqur si skuadër e madhe, me “cojones” (koqe në shqip), ashtu si premtonte para pak ditësh Solari se do bëhej Real Madridi me të. Tre minuta për të realizuar dy gola, me Osman Dembele dhe Luis Suarez që i dhanë fitoren 3-2 Barcelonës, duke vijuar ecurinë pozitive me pesë suksese radhazi mes kampionatit dhe Champions-it.

Katalanët vuajtën më tepër nga sa mendohej, por dolën me pikë të plota nga fusha e Rajo Valekanos. Goli i shpejt i Luis Suarez, pas vetëm 11 minutave lojë krijoi idenë e një fitoreje të lehtë, por në mënyrë të papritur vendasit përmbysën gjithçka.

Poco në të 35-ën dhe Garsia pa u plotësuar një orë lojë, përmbysën rezultatin në favor të Rajos. Megjithatë, emocionet nuk përfunduan aty, sepse Barcelona rezervoi një tjetër përmbysje, me rrjetat e Dembele në minutën e 87-të dhe Luis Suarez në fundin e kohës së rregullt.

Skuadra e Valverdes siguroi një fitore mjaft të rëndësishme për moralin dhe ecurinë në La Liga. “Blaugranat” mbeten në krye të renditjes me 24 pikë pas 11 javëve të para, duke mbajtur në distancë sigurie Atletikon e Madridit, që u frenua në barazim dhe Alaveshin, të distancuara me 4 pikë.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.