Lukas Torreira është një nga mesfushorët, që përflitet për të zbarkuar në Milano. Uruguajani ka treguar se është një luftëtar i vërtetë. Milani ka nevojë për grintën e tij dhe dëshiron ta bëjë pjesë të projektit për ringritjen e klubit në majën e Italisë dhe Evropës.
Arsenali nuk ka në plan ta lërë të lirë. Vetëm një ofertë e mirë financiare dhe dëshira e palëkundur e lojtarit për t’u larguar do e bënin të mundur këtë transferim. Megjithatë, dëshirën e Torreiras nuk e kemi dëgjuar ende dhe agjenti i tij shprehet se Milani nuk ka drejtuar asnjë ofertë drejt lojtarit.
Ai shton se çdo gjë që flitet rreth të ardhmes së Lukas e ka dëgjuar nëpërmjet medias dhe askush nuk e ka kontaktuar. Marko Xhampaoli pritet të marrë drejtimin e Milanit. Ai ka punuar te Sampdoria me Torreiran dhe një thirrje e tij për bashkim është e mundur. Agjenti shprehet se një kërkesë e tillë do të ndikonte te ylli i Arsenalit.
“Nuk di asgjë rreth interesimit të Milanit. Nuk më ka kontaktuar askush. Ardhja e mundshme e Xhampaolit në Milano? Natyrisht që do të ndikonte te klienti im”, u shpreh agjenti i Torreira.