Taulant Xhaka është rikthyer të luajë si titulluar me skuadrën e Bazelit pas plot katër muajsh mungesë si pasojë e demtimeve të njëpasnjëshme në gju. Në transfertën e sotme ndaj Zyrihut, Xhaka shërbeu me një top të shkëlqyer zviceranin Kampo, i cili më pas dërgoi topin në rrjetës e portës së vendasve. Gjithsesi Bazeli nuk fitoi kundër Zyrihut, që barazoi në pjesën e dytë.
Rikthimi i Xhakës është një lajm shumë i mirë edhe për trajnerin e kombëtares tonë, Kristian Panuçi. 27-vjeçari është një titullar i padiskutueshëm në sytë e teknikut italian, që i duhet të bëjë kthesën në ndeshjet e “Nations League” ndaj Izraelit dhe Skocisë.
Protagonist në kampionatin zviceran ishte dhe mesfushori i Lucernës, Idriz Voca, i cili shënoi të vetmin gol për skuadrën e tij në barazimin 1-1 në transfertën ndaj St.Gallen. 21-vjeçari ka qenë pjesë e moshave të Shqipërisë, por një ofertë nga kombëtarja e parë e Kosovës bëri që Voca të braktiste kuqezinjtë.