VIDEO | Tre minuta “breshëri”, Teuta i bën gjëmën Kukësit

0

Ndeshja mes Teutës dhe Kukësit i pati të gjitha. Plot tri gola dhe emocione përgjatë gjithë takimit, pretendime për penallti, penallti e humbur, përmbysje, duele të luftuara dhe gjithçka tjetër. Që në sekondat e para, sfida nisi e vrullshme, me Teutën që mori frenat e lojës dhe qarkullimin e topit.

Gjithsesi, djemtë e Cungut ishin shumë të rrezikshëm në kundërsulm. E pikërisht në minutën e 37’ të takimit, Rexhinaldo kalon në avantazh verilindorët. Sulmuesi mozambikas godet shumë bukur nga jashtë zone, duke mposhtur portierin Hidi dhe duke zhbllokuar shifrat. Kukësi e mbylli në avantazh pjesën e parë dhe gjithçka dukej në rrugën e duhur për ta.

Por në pjesën e dytë, gjithçka foli për Teutën. Edhe pse ishin të rrezikshëm me sulmet e tyre, goli për djemtë e Shkëmbit po mungonte. Megjithatë, në minutën e 69’, Progni barazon gjithçka. Një goditje dënimi e ekzekutuar me mjeshtëri nga mesfushori gjen trekëndëshin e portës së Frashërit dhe festë te Teuta. Kukësi duket i çoroditur në fushë dhe vetëm 2 minuta më pas, Teuta ndëshkon sërish, duke kompletuar përmbysjen spektakolare.

Është Arapi ai që shënon golin e fitores për Teutën, duke kompletuar kështu një ndeshje shumë të mirë të tij. Ky ishte goli i parë për mbrojtësin e ardhur në janar dhe një nga golat më të rëndësishëm të Teutës deri më tani këtë sezon.

Kukësi pati mundësinë të merrte të paktën një pikë nga kjo sfidë, por Kordeiro humbet penallti në sekondat e fundit. Hidi bën heroin dhe ndal brazilianin, duke i pritur penalltinë.

Statistikat e ndeshjes
Teuta – Kukësi
Goditjet nga këndi: 8-0
Goditje në kuadrat: 5-3
Zotërimi i topit: 50%-50%
Sulmet e rrezikshme: 77-54

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 22

E diel, më 15 shkurt, ora 18:00
Stadiumi “Niko Dovana”, Durrës

Teuta – Kukësi  2-1
Shënues: Progni 69′, Arapi 71′ / Rexhinaldo 37′

Teuta: Hidi, Frashëri, Osmani, Arapi, Hakaj, Sidibe, Progni (Bicaj 83′), Kallaku, Traore (Beqja 78′), Kamara, Bushiç Trajner: Bledi Shkëmbi Në dispozicion (Celeski, Latif, Avdyli, Beqja, Bicaj, Gashi, Vila)

Kukësi: Frashëri, Maliqi, Cuculi, Shameti, Rrumbullaku, Dzaria (Çyrbja 80′), Limaj, Rroca (Shkurtaj 75′), Et’hemi (Rama 74′), Kordeiro, Rexhinaldo Trajner: Armando Cungu Në dispozicion (Gomis, Çyrbja, Xhemaili, Shkurtaj, Krasniqi, Rama)

Gjyqtarë:  Juxhin Xhaja, Dojando Myftari, Nuri Rrapaj, Nertil Bregasi

Kartonë të verdhë: Traore 62′, Osmani 90′ / Shameti 22’, Dzaria 53′, Cuculi 68′, Limaj 71′, Et’hemi 75′

Karton i kuq: Osmani 90+3′

EPISODET

90′ Mbyllet sfida, Teuta triumfon në “Niko Dovana”

90+4’ Hidi pret penalltinë e Kordeiros!! Braziliani pati mundësinë t’i japë një pikë Kukësit, por u tregua i pasaktë nga pika e bardhë e penalltisë. Hidi bën heroin dhe Teuta merr tri pikët!

71’ Goooool Teuta! Durrsakët përmbysin shifrat në vetëm dy minuta dhe Arapi gjen golin e parë me fanellën e Teutës.

69′ Goooooool Teuta!  Progni realizon një gol fantastik, duke mposhtur portierin Frashëri nga një goditje dënimi. Loja e mirë e Teutës shpërblehet dhe durrsakët arrijnë barazimin. Goli gjashtë këtë sezon për Prognin.

63′ Rast i pastër për Rrocën. Mesfushori i vetëm përballë Hidit shpërdoron një shans të artë, duke goditur në mënyrë të gabuar

46′ Starton e vrullshme pjesa e dytë në “Niko Dovana”

45′ Mbyllet pjesa e parë

37’ Goooool Kukësi. Rexhinaldo dhe Kordeiro kombinojnë mirë dhe i afrohen rrezikshëm zonës. Gjuajtja e brazilianit bllokohet fillimisht, por topi i rikthehet Rexhinaldos, që godet menjëherë dhe shënon një supergol, duke i dhënë avantazhin Kukësit.

27’ Edhe Teuta pretendon për penallti. Kamara futet mirë në zonë dhe shmang Maliqin, por pengohet nga Dzaria. Për gjyqtarin, nuk ka penallti, pavarësisht protestave të shumta të vendasve

16’ Kukësi shfaqet rrezikshëm në zonë me anë të Kordeiros. Braziliani avancon mirë nga e majta e sulmit dhe pengohet në zonë, por sipas gjyqtarit kryesor, nuk ka penallti

13’ Tjetër mundësi ideale për Teutën. Progni kroson mirë dhe Arapi është i lirë në shtyllën e dytë, por heziton të godasë fort dhe topi përplaset në shtyllë dhe përfundon jashtë

5′ Progni përfiton mirë nga një pasim i kthyer keq i Kordeiros dhe shërben në qendër për Bushiç, por kroati nuk koordinohet mirë para porte, duke shpërdoruar një rast ideal për të shënuar

1′ Fillon sfida në “Niko Dovana”

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.