VIDEO | Spektakël në shiun e Durrësit, Teuta nuk lejon arratisjen e Partizanit

Ndeshje emocionuese dhe me raste, ritëm, nerva e gola në “Niko Dovana”. Stadiumi i mbushur i dha akoma më shumë bukuri takimit, i cili mund të quhet kopertinë për futbollin tonë. Teuta dhe Partizani u ndanë në një barazim 1-1, me Gashin e Asanin që firmosën rezultatin, me nga një gol në secilën pjesë.

Edhe pse shiu ishte bashkudhëtar për gjatë gjithë ndeshjes, tifozët shijuan një 90 minutësh fantastik, por që në fund nuk solli asnjë fitues. Nga një pikë për të dyja skuadrat, por padyshim keqardhje ndjen Partizani që nuk shfrytëzoi dot ndalimin e Skënderbeut, dhe tani sheh Kukësin e Teutën që të afrohet. “Djemtë e detit” në krahun tjetër nuk merr dot vendin e dytë, por ekipi tregoi se ka petkun për të pretenduar dhe më shumë se Europën.

Teuta e nisi me më shumë vrull ndeshjen, ndërsa Partizani ishte disi më i ndrojtur dhe jo shumë i qartë në lojën e tij. U shpërblye këmbëngulja e vendasve, me Gashin që gjeti golin e avantazhit. Pas harkimit nga këndi, Gashi goditi me kokë, duke e mposhtur portierin Hoxha. Teuta provoi që të shfrytëzonte momentin “jo” të miqve, por nuk arriti dot që të gjente edhe golin e dytë.

Pa u mbushur gjysmë ore lojë, sfida u nxeh me një përplasje të Osmanit dhe Hilës. Pas atij momenti, ndeshja mori një tjetër ritëm, me skuadrat që ishin më kërkuese dhe luftonin më shumë për topin e parë. Nisi të reagonte dhe Partizani që shumë pak kishte rrezikuar. Hebaj dha sinjalet e para, duke e vënë në provë në dy raste Hidin, por pa e sforcuar shumë këtë të fundit. Pjesa e parë në favor të vendasve, por fraksioni i dytë do të sillte akoma dhe më shumë emocione.

Një ndeshje titulli në plot kuptimin e fjalës, pasi 45 minutat e dyta sollën raste pa fund. “Demat” e nisën më mirë, ishin më aktiv në sulm, por do duhej një kundërsulm i jashtëzakonshëm që të gjenin golin e barazimit. Bardhi theu një aksion të durrsakëve dhe nisi një top për Mensahn, i cili me shumë këmbëngulje doli në sulm i vetëm duke bërë dhjetëra metra dhe në fund erdhi një pasim i saktë për Asanin, i cili i vetëm me portierin vendas nuk e pati të vështirë të shënonte. I pamundur Hidi për të evituar golin, por një superhero i vërtetë pak sekonda më vonë, kur ndali Malën, që i shpëtoi mbrojtjes.

Edhe Hoxha në një ditë të mirë, në tre raste i përgjigjet sulmuesve të Teutës, të cilët kishin grindë dhe e kaluan atë moment jo të mirë që po kalonin. Skuadrat kishin dëshirë për ta fituar ndeshjen, por në minuta e fundit mbizotëroi frika për të mos e humbur atë.

Në fund pa fitues në një ndeshje që ishte e gjitha për t’u shijuar, për atë çka ekipet dhuruan në fushën e lojës. Gëzon Teuta, por dhe Kukësi e Skënderbeu, që e shohin Partizanin jo shumë larg. “Demat” nuk dolën duarbosh nga një ndeshje shumë e vështirë, por sërish janë ‘+5’ nga ndjekësi më i afërt.

Kategoria Superiore – Java 16
E shtunë, më 8 dhjetor 2018, ora 17:00
Stadiumi “Niko Dovana”, Durrës

TEUTA 1-1 PARTIZANI
Shënues:
Gashi 8’/ Asani 60′

Teuta: Hidi, Gjorgjievski, Shkalla, Osmani, Hakaj, Sidibe, Gashi, Avdyli (Vecaj 75′), Kallaku, Kamara (Kruja 81′), Latif. Trajner: Bledi Shkëmbi. Të gatshëm: Çeleski, Ndreca, Vogli, Qato, Vila.

Partizani: Hoxha, Mala, Atanda, Belica , Trashi, Telushi, Hila, Bardhi, Asani (Çinari 85′), Mensah (Kote 76′), Hebaj (So Hyon UK 72′). Trajner: Skënder Gega. Të gatshëm: Xhika, Kalari, Gojkoviç, Kardozo, So Hyon UK.

Kartonë të verdhë: Hila 36′, Belica 52′

Gjyqtarë: Klajdi Kola, Nertil Bregasi, Dojando Myftari, Astrit Mahmuti; Gjyqtarë linje: Kridens Meta, Olsi Sokoli
Delegat: Alban Tafaj

DIREKT 

84’ – Kallaku nuk arrin dot të godasë, por pas tij provoi Sidibe, i cili u ndal nga Hoxha.

68’ – Mala del i vetëm me Hidin, por “gardiani” i Teutës është “hero” me pritjen e tij.

 

63’ – Kamara preferon të godasë, edhe pse kishte mundësinë që të pasonte te Latif, duke gabuar krejtësisht, pasi nuk e gjeti do t kuadratin e Hoxhës.

60’ – Kundërsulm fantastik i Partizanit. Bardhi nis një top për Mensahn, i cili avancon për shumë metra i vetë,m dhe në fund pason për Asanin, i cili nga e majta del i vetëm me Hidin, por me një goditje mjaft të bukur arrin ta mposhtë portierin vendas.

51’ – I jashtëzakonshëm Alban Hoxha me pritjen e tij, pasi një topi të devijuar nga Telushi, i cili rrezikoi që të shënonte autogol

46’ – Hoxha bëhet shpëtimtar me daljen e tij, duke i hequr mundësinë Kamaras shënimin e golit të dytë.

 

45’ – Hebaj sërish rrezikon me një goditje të fortë, por Hidi është i vendosur mirë dhe largon rrezikun.

42’ – Partizani tenton me Hebajn nga e majta, por sulmuesi shkodran nuk shënjestron dot portën.

36′ – E papranueshme ndërhyrja e Hilës ndaj Osmanit, por vetëm karton i verdhë për mesfushorin e “demave”

 

35’ – Skemë interesante e Teutës, pas një topi të ardhur nga këndi, Avdyli i harruar nga mbrojtja e Partizanit godet, por nuk arrin dot që ta gjejë kuadratin e portës.

25’ – Moment tensioni mes Osmanit dhe Hilës, të cilët konfrontohen me njëri-tjetrin. Gjyqtari i fal të dy lojtarët.

 

12’ – Pas harkimit nga një goditje dënimi, Belica me mjaft vështirësi i heq mundësinë e goditjes Shkallës, i cili vinte pas shpinës së tij, gati për ta shtyrë topin drejt rrjetës.

8’ – Pas harkimit nga këndi, Roni Gashi tregohet i saktë nga brenda zone dhe kalon të tijtë në avantazh.

2’ – Kamara del i vetëm me Hoxhën nga e majta, tentativa e afrikanit u ndal nga Hoxha, i cili çoi topi në këndore.

1′ – NIS NDESHJA!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *