Gjysmëfinalja e dytë e turneut Grand Slam “Roland Garros”, midis Novak Xhokoviç dhe Dominik Tim është ndalur nga reshjet e shumta të shiut që kanë shoqëruar Parisin përgjatë ditëve të fundit.
Pas dy ndërprerjeve dhe rreth gjysmë ore pritje drejtuesit e turneut vendosën të shtyjnë gjysmëfinalen për ditën e nesërme. Austriaku Dominik Tim habiti të pranishmit në Paris duke lënë stadiumin nën një avantazh të lehtë ndaj serbit 6 – 2, 3 – 6, 3 – 1.
Fituesi i këtij dueli do ndeshet në finale me 11-herë fituesin e këtij turneu, i cili siguroi biletën për në finale duke mundur zviceranin Roxher Federer 6 – 3, 6 – 4, 6 – 2. Krahas lidhjes speciale që 11-herë kampioni i “Roland Garros” ka me këtë turne, Nadal i vjen në ndihmë dhe fakti që në ndryshim nga kundërshtari i tij do të ketë një ditë më shumë pushim.