Partizanit i ka mjaftuar një gol i Bruno Telushit, për t’u rikthyer te fitorja. Skuadra e Skënder Gegës ka triumfuar minimalisht me rezultatin 1-0 ndaj Kamzës, e cila tentoi që të bënte diçka, por pa ja dalë në mini-derbin e kryeqytetit. Të kuqtë e lënë pas humbjen me Skënderbeun, ndërsa Kamzë vijon që të mos ngrejë krye.
Dominim nga “demat” ndaj ekipit të Duros në pjesën e parë, por Kamza u paraqit mirë në fraksionin e dytë. Në “Selman Stërmasin” e boshatisur nga vendimi i komisioni i disiplinës, skuadra e kuqe krijoi raste dhe volum që në pjesën e parë. Jo vetëm kaq, por vendasit gjetën edhe rrugën e rrjetës me anë të Bardhit, por gjyqtari e anuloi golin si të parregullt, duke e konsideruar si pozicion të parregullt. Vendim i diskutueshëm, duke parë dhe përsëritjet.
Për t’u veçuar fakti se Duro bëri dy ndryshime që në pjesën e parë, ku fillimisht largoi Orelesin të dëmtuar dhe më pas Beqirin, 3 minuta para fundit të pjesës së parë. Na fraksionin e parë Partizani do të rrezikonte seriozisht dhe në dy momente të tjera, ku fillimisht Mala dhe më pas Ibrahimi do të godisnin shtyllën e Kamzës. Gjithsesi, në fundin fraksionit të parë ishin miqtë ata që rrezikuan portën e Hoxhës, por ky i fundit ishte në lartësinë e duhur.
Në fillimin të pjesës së dytë erdhi dhe goli që vendosi fatin e këtij takimi. Pas harkimit nga këndi, në një rrëmujë në zonën e kamzalinjve, Telushi ishte vigjilent dhe e çoi topin në fundin e rrjetës, duke kaluar të tijtë në avantazh. Me kalimin e minutave “të kuqtë” nisën që të tregoheshin më pragmatist, duke i krijuar hapësira miqve për të rrezikuar. Me fat ishin “demat” çerek ore para fundit, pasi Frashëri u ndal vetëm nga shtylla, pas një goditje nga jashtë zone.
Partizani shkon në kuotën e 25 pikëve, por mbetet në vendin e dytë, një pikë më pak se Skënderbeu i vendit të parë. Në krahun tjetër Kamza mbetet në vendin e parafundit me vetëm 8 pikë, duke regjistruar kështu dhe ndeshjen e 6 radhazi pa marrë fitore. Rrezikon tashmë trajneri Duro, i cili mund të largohet pas kësaj humbje.
Kategoria Superiore – Java 11
E shtunë, më 3 nëntor, ora 17:00
Stadiumi “Selman Stërmasi”, Tiranë
Partizani 1-0 Kamza
Shënues: Telushi 47′
Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Belica, Atanda, Trashi, Telushi, Kote, Asani (Gojkoviç 75′), Mala (So Hyon 69′), Çinari (Mensah 60′), Bardhi. Trajner: Skënder Gega. Të gatshëm: Xhika, Bitri, Kardozo, Hebaj.
Kamza: Avdyli, Frashëri, Beqiri (Peçi 42′), Orelesi (Bonani 12′), Idrizaj, Malaj, Mumajesi (Rezi 73′), Mehmeti, Fukui, Zisi, Roloviç. Trajner: Klodian Duro. Të gatshëm: Kirev, Krasniqi, Rami, Teqaja.
Kartonë të verdhë: Atanda 41′, Ibrahimi 59′ / Fukui 45+2′, Idrizaj 67′
Gjyqtarë: Andi Koçi, Emigers Ganxhi, Astrit Mahmuti, Olsid Ferataj
Delegat: Alban Tafaj; Vëzhgues: Mhill Shkëmbi