Anthony Joshua dhe Andy Ruiz u vunë përballë njeri-tjetrit për herë të fundit para përballjes së tyre, ku anglezi Joshua do të mbrojë katër gjerdanët kampion bote (WBO, WBA, IBF, IBO). Gjithçka ka shkuar në mënyrë miqësore me dy boksierët që kanë shtrënguar duart në fund të eventit që i paraprin mbrëmjes së nesërme.
Kjo do të jetë hera e parë që Joshua (22 duele, 22 fitore, 21 me nokaut) ndeshet në karrierën e tij si boksier profesionist jashtë territorit të Mbretërisë së Bashkuar. Kundërshtari i tij Andy Ruiz u përzgjodh vetëm një muaj para datës së duelit për shkak se boksieri amerikan Jarell Miller, i cili ishte programuar të vihej përballë Joshua-s, rezultoi pozitiv në testet e dopingut për përdorimin e tri substancave të ndaluara.
Ruiz ka një rekord prej 32 fitoresh (21 me nokaut) dhe vetëm një humbje, kjo e fundit ndaj ish-kampionit të botës Joseph Parker me vendim maxhoritar (113 – 115, 114 – 114, 113 – 115). Dueli zhvillohet në “Madison Square Garden” New York mbrëmjen 1 qershorit, ndërsa me orën shqiptare eventi fillon rreth orës 4 të mengjesit të së dielës (2 qershor).