Atalanta pa veten t’i anulohet dy herë goli i avantazhit në pjesën e parë. Megjithatë, djemtë e Gasperinit ndodhen në një formë fantastike dhe kanë zgjidhur gjithçka në pjesën e dytë kundër Xhenoas.
Trepikësh i artë për ekipin bergamask, që triumfoi në fushën e Sasuolos si pasojë e punimeve që do të kryhen në stadiumin e saj. 2-1 fituan vendasit me golat e Barrou dhe Kastanje, ndërkohë që Berat Gjimshiti dhuroi asistin e golit të dytë.
Dy gola të shënuar brenda shtatë minutash i kanë dhënë avantazhin e dyfishtë ekipit bergamask dhe parakalimin e Interit, që ka për të zhvilluar ndeshjen kundër Kievos.
20-vjeçari Barrou shënoi golin e parë në minutën e parë të pjesës së dytë. Sulmuesi nga Gambia mori një asist perfekt nga holandezi De Run dhe dërgoi topin në rrjetë.
Shtatë minuta më vonë, Atalanta dyfishoi shifrat. Berat Gjimshiti u bë protagonist me asistin e dhuruar për Kastanje, i cili nuk gaboi nga afër portës dhe dërgoi topin në rrjetë.
Xhenoa reagoi dhe shkurtoi rezultatin një minutë përpara fundit të ndeshjes. “Veterani” Pandev gjeti rrugën e rrjetës pas një aksioni shumë të bukur të miqve. Koha ishte e pakët për të tentuar më shumë dhe Atalanta hodhi një tjetër hap të sigurt drejt kualifikimit në Champions.
65 pikë numëron ekipi i Gjimshitit dhe Berishës, që renditet dy pikë supër Interit dhe gjashtë sipër Milanit, me dy ekipet milaneze që kanë për të luajtur një ndeshje më shumë.