Real Madrid po kalon një nga periudhat më të vështira të viteve të fundit. Katër humbje në 11 ndeshje dhe asnjë gol i shënuar në katër ndeshjet e fundit. Kritikat janë shtuar, ndërsa trajneri Lopetegui rrezikon postin e tij.
Pas humbjes së fundit në kampionat kundër Alaveshit, presidenti Florentino Perez ka diskutuar me drejtuesit e tjerë të klubit për të ardhmen e trajnerit. Lopetegui është konfirmuar për momentin, por tre ndeshjet e ardhshme janë deçizive për të ardhmen e tij në stolin e Kampionëve të Europës.
Levante në kampionat, Viktoria Pilzën në Champions dhe klasikja me Barcelonën. Nëse dy ndeshjet e para priten të kalohen lehtësisht nga ekipi “merengues”, përballja me Barcelonën do të zbardhë fatin e trajnerit 52-vjeçar siç citon spanjollja “AS”.
Drejtuesit nuk duan të jenë të papërgatitur dhe po vlerësojnë pistat e mundshme. Santiago Solari, trajneri i Real Madrid shihet si një nga kandidaturat e mundshme për të zëvendësuar Lopeteguin, por kandidati kryesor mbetet Antonio Konte. Italiani pëlqehet nga Perez dhe ishte një nga kandidaturat e verës për të pasuar Zinedin Zidan në stolin e Realit.
Ai është i papunë për momentin dhe nuk do të refuzonte një thirrje të Perez, por gjithçka do të sqarohet në vijim dhe Lopetegui ka dhe tre ndeshje për të shpëtuar stolin e tij.