Në mungesë të kualifikimit në Champions pritej që të ndodhte një gjë e tillë. Xhenaro Gatuzo nuk do të jetë më trajneri i Milanit. Ish-mesfushori i kuqezinjve mori vendimin e vështirë për të dhënë dorëheqjen nga ekipi i zemrës.
Drejtuesit nuk kanë humbur kohë dhe po merren me gjetjen e pasardhësit të tij. Tre janë alternativat kryesore sipas mediave afër klubit të “djallit”: Leonardo Zhardim, Simone Inzagi dhe Marko Xhampaolo.
Portugezi është lakuar edhe herë të tjera afër stolit të Milanit. Zhardim u rikthye për të shpëtuar Monakon nga rënia një kategori më poshtë dhe ia doli. Pikat e tij më të forta janë puna e mirë me të rinjtë dhe përmirësimi i madh i lojtarëve.
Simone Inzagi ishte shumë pranë Juventusit, ndërsa tani garës për të i është bashkuar edhe Milani. Laciali është një nga trajnerët e rinj më të mirë dhe pika e tij e fortë është loja ofensive dhe menaxhimi i mirë i grupit të lojtarëve.
Nuk mbetet pas as surpriza Xhampaolo. Futbolli i tij është i këndshëm, ka kualitet si trajner dhe është gati të marrë një ekip të madh. Milani do të ishte perfekt për trajnerin, që ka formuar një skuadër shumë të mirë te Sampdoria.