Antonio Konte shihet si kandidati kryesor për t’u ulur në stolin e Reali Madrid, nëse klubi spanjoll vendos të shkarkojë Julen Lopeteguin. Mediat italiane dhe spanjolle kanë konfirmuar faktin që Florentino Perez ka kontaktuar me trajnerin italian, por ka ardhur përgënjeshtrimi i vëllait dhe menaxherit të trajnerit.
“Antonio ndodhet me pushime për momentin dhe nuk ka marrë asnjë telefonatë nga Reali i Madridit. Sigurisht që ata janë një klub i madh, por nuk ka kontakte mes palëve për momentin”, flet Daniele Konte për “Cadena Ser”.
Nga ana tjetër, Toni Kros është shprehur pro qëndrimit të trajnerit Lopetegui. Mesfushori gjerman i Realit ka folur për “AS”, duke dalë në mbrojtje të trajnerit aktual.
“Duam që Lopetegui të vazhdojë punën me ne. Ai është një trajner shumë i mirë dhe nuk jemi nervozë. Kemi patur edhe më parë momente delikate dhe i kemi kaluar”, thekson Toni Kros.