Tirana këtë sezon dështoi të luftonte në kampionat për të kapur Europën, por është pranë finales së Kupës së Shqipërisë. Një fitore të mërkurën me Luftëtarin do i kualifikonte bardheblutë, që kanë nisur të mendojnë që tani për të ardhmen.
Në emisionin “Zona Gol” në Supersport, presidenti Refik Halili deklaroi se kanë nënshkruar me katër lojtarë për sezonin e ardhshëm. Ai nuk zbulon emra: “Përsa i përket të ardhmes, po e them për herë të parë këtë: Kemi nënshkruar katër kontrata me futbollistë shumë të njohur në Shqipëri. Emrat nuk i bëj dot të ditura që tani”.
Për të nënshkruar me lojtarët normalisht i duhet marrë një mendim edhe trajnerit. Ardian Memës i përfundon kontrata në fund të sezonit, por Halili thekson se do të jetë pjesë e klubit. Gjithçka mbetet për t’u parë.
“Për katër futbollistët që kemi marrë, patjetër që kemi folur edhe me trajnerin dhe menaxherin e klubit. Do të ketë ndryshime, pasi disa lojtarëve të huaj e shqiptarë u mbaron kontrata. Mema do të vazhdojë të jetë pjesë e klubit të Tiranës”, u shpreh presidenti i Tiranës.