Xhenaro Gatuzo dhe Milani janë shembulli më i mirë i dashurisë mes një klubi dhe një legjende të tij. Ish-mesfushori pak ditë më parë ndërpreu marrëdhënien me Milanin dhe tani është i papunë. Megjithatë, ai vazhdon të thotë fjalë të mira. Ai është kthyer të flasë për Milanin dhe të ardhmen e tij. Në lidhje me ekperiencën te kuqezinjtë ai u shpreh se jo çdo gjë ishte negative në këtë sezon.
Shtoi se Milanin e drejtojnë njerëz të zotë dhe tifozët duhet të jenë të qetë. Në lidhje me të ardhmen nuk zbulon shumë. Shprehet se duhet të marrë mendimin e stafit të tij dhe se më parë i duhet një ofertë nga një klub. Ndërkohë mediat italiane raportojnë se ai ka pasur kontakte nga Lacio dhe Sampdoria.
“Milani qëndron në zemrën time. Ai klub më dha një mundësi të madhe. Ne humbëm mundësinë për t’u kualifikuar në Champions League, por unë mbaj mend shumë gjëra pozitive. Të përfundosh kampionatin me 68 pikë nuk do të thotë pak. Milanin e drejtojnë njerëz shumë aftë. Klubi është në duar të sigurta dhe tifozët nuk kanë pse shqetësohen.”
“Kam dëshirë të vazhdoj të trajnoj, por duhet marrë vendimi i duhur. Do konsultohem edhe me pjesën tjetër të stafit, pasi në jemi një grup. Më parë na duhet një ofertë konkrete”, përfundoi Rino Gatuzo.