Finalja e luajtur një natë më parë e Europa League u zhvillua në Baku, kryqyteti i Azerbajxhanit. Diçka e tillë ishte shpallur prej kohësh, por që në fillim pati shumë kontestime dhe polemika.
Diçka e tillë ndodhi sepse tifozët e kujtdo skuadre do ta kishin shumë të vështirë për të udhëtuar drejt Azerbajxhanit. Një natë më parë, dyshimet u vërtetuan dhe gati gjysma e stadiumit ishte e boshatisur, me mijëra ndenjëse që ishin bosh.
Lidhur me këtë çështje foli edhe spanjolli Çesk Fabregas, i cili ka provuar të veshë fanellën e të dy ekipeve londineze në karrierën e tij. Sipas mesfushorit vendosja e finales në Baku ishte e gabuar, pasi futbolli luhet për tifozët dhe pa ta nuk ka kuptim.
“Si lojtarë ne luajmë ndeshjen, por tifozët janë gjithçka në futboll. Lojtarët shkojnë edhe vijnë, por tifozët mbeten gjithnjë aty. Duhet të mendohet më shumë për tifozët se sa për lojtarët”, përfundoi Fabregas.