Një koment i Ilaria D’Amikos ka krijuar shumë polemika në Itali, sidomos në kampin napolitan. Tifozët e ekipit të Ançelotit janë ndjerë keq dhe kanë shpërthyer në rrjetet sociale kundër platformës Sky Sport.
Prezantuesja e njohur, njëkohësisht gruaja e Xhixhi Bufon, ka gabuar gjatë komentit të saj për krahasimin e tifozëve të Ajaksit me ata të Napolit. Ultrasit holandezë tentuan të krijojnë zhurmë në hotelin ku ishte vendosur ekipi italian, me qëllim shpërqendrimin e tyre.
“Tifozët e Ajaksit kanë shqetësuar Juventusin me zjarr dhe fuqi. E njëjta qasje si ajo e tifozëve napolitanë…”, është shprehur D’Amiko. Këto fjalë nuk i kanë pëlqyer aspak tifozëve të Napolit, të cilët janë të abonuar në “Sky Sport”, por jo vetëm.
“Të paguash kaq shumë para për t’u ofenduar është jashtë çdo lloj logjike”, ka qenë pak a shumë ideja e tifozëve të zhgënjyer, të cilët kanë premtuar se nuk do të rinovojnë më me këtë platformë, madje shumë prej tyre e kanë anuluar abonimin.
Komentet kanë vërshuar. Disa kanë kërkuar që Sky të pezullojë 45-vjeçaren, të tjerë kërkojnë më shumë respekt për Napolin. Dikush shkon edhe më tej, duke i kujtuar D’Amikos se 120 tifozë të Juventusit u larguan nga Holanda, pasi u gjeten me thika dhe shkopinj.