Serzh Gnabri ishte një prej lojtarëve më të mirë të Bajernit në fitoren 2-0 të bavarëve në Athinë ndaj AEK-ut. Sulmuesi i ardhur nga Hofenhajmi shërbeu asistin për golin e dytë të Levandovskit u bë një makth për mbrojtjen greke me shpejtësinë dhe aftësitë e tij në driblim.
Pas paraqitjes nuk mund të mungonin komplimentet e ndryshme nga trajneri Niko Kovaç dhe shokët e ekipit. “Ai luajti shumë mirë ndaj AEK-ut. Dha një asist në pjeën e dytë, ndërsa në pjesën e parë krijoi 2-3 raste për shënim. Tani ka fituar më shumë vetëbesim dhe shpresoj që ai mund të vazhdoj të mbajë këtë ritëm gjatë së ardhmes”, tha tekniku kroat.
Arjen Roben vlerësoi sjelljen e kolegut të tij të ri duke thënë: “Më pëlqen shumë ai djalosh. Tani e kam dhe shok në palestër, e shoh gjithmonë atje, nuk mungon asnjë ditë. Gjithmonë punon për t’u përmirësuar. Ka një profesionisti”.
Forma e mirë e Gnabrit është një problem vetëm për një person te Bajerni. Bëhet fjalë për francezin Frank Riberi, i cili mund të thuhet se ka humbur formacionin ndaj kolegut 12 vite më të ri në moshë.