“Takaj-Rama 1-0”, 100 ditët dhe topi i shfryrë i qeverisë

“Zoti Rama, do të na thoni një datë, se këto 100-ditëshat na duken si premtime elektorale”. Ardjan Takaj e kishte parandjerë dhe i kërkoi kryeministrit Edi Rama që të ishte i drejtpërdrejtë në takimin që ai pati me përfaqësues të klubeve të futbollit dhe FSHF-së. 20 qershori ishte data e premtuar nga kryeministri, por ende nuk ka ndodhur asgjë.

Tryeza “Siguri-Reformim-Modernizim” ka 102 ditë që është mbledhur. Nga atëherë ka pasur edhe takime të FSHF-së me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Vetë kreu i federatës, Armand Duka, e ka thënë edhe më parë që kërkesat e tyre nuk do të plotësohen nga qeveria. Takimet e bëra e kanë bindur atë.

Takimi i zhvilluar me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve

FSHF hartoi edhe një draft, duke u konsultuar edhe me klubet. Kërkesat ishin këto: “Formalizimi i klubeve profesioniste, duke bërë 0 tatimin mbi të ardhurat dhe sigurimet shoqërore të tyre për sa paku 5 vite. Tvsh 0 për investimet në sport dhe materialet sportive, terrenet sportive t’u kalojnë klubeve pa shpërblim, për çdo investim në infrastrukturë nga klubet qeveria të kontribuojë me 50 %, disa ndryshime në Ligjin për Sportin, disa ndryshime në Kodin Penal për të mbrojtur atmosferën sportive, hartimin e Ligjit të Sponsorizimit në Sport, ku kompanive 30% e taksave u zbriten për investime në sport”.

Takimi që FSHF ka organizuar me klubet

ÇFARË DEKLARONTE RAMA – Më 11 mars, përpara mediave dhe përfaqësuesve të botës së sportit, Rama deklaronte: “Duhet t’i japim fund teatrit që bëjnë klubet shqiptare në aspektin e deklarimit të pagave të lojtarëve. Boll më me lojtarë që deklarohen paguhen sikur punojnë në fasoneri. Kjo nuk mund të vazhdojë. Jemi të gatshëm ta zerojmë tatimin nga fitimi për lojtarët për disa vite me kushtin që të deklarohen të ardhurat e futbollistëve.

Dhe kohën ta përcaktojmë, 5, 7 apo 10 vjet. Duhet te heqim taksat mbi ndërtimet sportive, njësoj siç kemi bërë për Hotelet me 5 yje, për Agro-Turizmin, s’kemi pse mos ta bëjmë për ndërtimet sportive, si dhe uljen në 6% të TVSH. Nuk është se ne jemi duke ndërtuar stadiume në të katër anët e vendit dhe po na goditet buxheti. Është një fazë që kemi nevojë për t’i dhënë një shtytje përpara futbollit, dhe për ta kthyer futbollin nga një aktivitet të organizuar me pasion dhe tifozllëk në një industri të mirëfilltë”.

Armand Duka dhe Anila Denaj, Ministe e Financave dhe Ekonomisë

SITUATA AKTUALE – Asgjë nuk ka ndodhur. Sot pritej të kalonte ligji që dënon dhunuesit në stadiume, por edhe ai nuk kaloi. Për paketën e re fiskale apo propozimet që FSHF ka bërë në emër të klubeve, ende qeveria nuk është gati të krijojë lehtësira dhe t’i japë “oksigjenin” e nevojshëm sportit dhe futbollit në veçanti. Ardjan Takaj e dinte se do ndodhte kështu, gjithashtu edhe shumë të tjerë e kanë menduar. Fundja nuk është se nga politika ka ardhur ndonjë e mirë për sportin, veç ndonjë stadiumi që detyrimisht duhet të jetë multifunksional. Për të parë të bëhet një fushë stërvitore, ndoshta duhet pritur viti 2354…

VLADIMIR PRENGA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *