Sulm i ashpër ndaj Sitit, Murinjo: Lojtarët blihen, klasi jo!

0

Zhoze Murinjo ka sulmuar ashpër Mançester Sitin, duke kritikuar dokumentarin me disa seri “All Or Nothing”, që Amazon Prime do të nxjerrë në qarkullim së shpejti, në lidhje me sezonin e fundit, ku skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola triumfoi me një ecuri impresionuese.

Duke folur në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes kundër Brighton-it, trajneri i Manchester United deklaroi se meriton të paguhet për imazhin e tij, që është përdorur shpesh në dokumentar, ndërsa ka sulmuar Sitin, duke thënë se pasuria “nuk mund ta blejë klasin”. Në seritë e para të dokumentarit Murinjo përmendet shpesh dhe shfaqet edhe pjesë nga konferencat e tij për shtyp, ndërsa derbi i parë i sezonit të shkuar përshkruhej si një “betejë mes futbollit sulmuesit dhe parkimit të autobusit para porte”.

“Nuk e kam parë dokumentarin, por di disa gjëra rreth tij. Një film pa mua nuk shet shumë, me sa duket, kishin nevojë për mua. Nuk ka nevojë të tregosh mungesë respekti, që filmi të jetë fantastik. Reagimi im i parë është që nëse je një klub i pasur, mund të blesh lojtarë të shkëlqyer, por nuk blen dot klas”, tha Murinjo.

Portugezi zbuloi se lojtarët dhe stafi i Sitit kishin përgatitur fanella festive para derbit të fundit, në 7 prill në Etihad Stadium. Sitishkoi në avantazh 2-0 në pushim, por u mund 3-2 dhe festa për titull u anulua: “Meqë ky film është marrë kaq shumë me mua, mund të kërkoj të kem pjesën time të arkëtimit nga shitjet. Megjithatë, do të heq dorë nëse më dërgojnë një nga fanellat që kishin në tunel kur luajtëm atje për herë të fundit. Fanellat thoshin “Ia dolëm në ditën e derbit”. Nëse më dërgojnë një nga ato fanella, nuk dua përfitime nga pjesëmarrja ime në film”.

Gjithsesi, Pep Guardiola është distancuar nga pjesët e dokumentarit që kanë krijuar polemika, duke theksuar faktin që Amazon kishte blerë të drejtat për xhirime dhe dokumentari nuk është krijuar nga City: “Dokumentari nuk është përgjegjësia jonë. Njerëzit e Amazon vendosën çfarë duan t’i tregojnë botës, është një produkt i ndershëm”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.