“E kam pritur me kënaqësi ftesën e Laçit dhe e pranova”, thotë fillimisht Sulejman Starova, i cili debutoi në krye të kurbinasve kundër Flamurtarit. Që pas ndeshjes pati fjalë të mira për skuadrën tij, ndërkohë që shton: “Është skuadër që është shquar për shpirtin e garës. Më dha përgjigje pozitive në ndeshjen me Flamurtarin”.
Sa i takon grupit, Laçi nuk do të ketë Toron të pezulluar me kartonë. “Mungon vetëm Toro me kartonë, të tjerët janë në gjendje të mirë. Normal nuk është edhe Berisha dhe të tjerë që prej kohësh mungojnë”, shtoi Starova për RTSH.
Tekniku kryeqytetas flet për ndeshjen e radhës: “Tirana është në formë, por paradoksi është renditja. Është nga më të fortat e kampionatit, por u mungojnë pikët. Do jenë të mobilizuar. Objektivi është të futemi në fushë dhe të fitojmë. Shpresojmë të luajmë mirë dhe përmes lojës së mirë të marrim edhe rezultatet”.
Në lidhje me kampionatin, Starova deklaron: “Nuk mund të them që është më i miri, kampionati që i ka munguar cilësia, pasi Skënderbeu nga pretendent për titull ka dalë jashtë. Kukësi ka problemet e veta me ndryshimet, por edhe duke luajtur jashtë fushe e pa tifozë. Partizani është pranë titullit më shumë se kurrë. Teuta është për Europë, por një sy e kishte edhe te titulli kampion. Loja e mirë e Kastriotit kohët e fundit e ka bërë kampionatin edhe më të bukur”.