Trajneri i Laçit, Sulejman Starova, foli për emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport” në përfundim të takimit ndaj Partizanit.
PENALLTIA E ÇINARIT – “Duhet ta kenë parë më mirë nga TV. Ishte një faull jashtë zone, megjithatë, ndodhi çfarë ndodhi”.
NDESHJA – “E kam thënë që nuk do të ishte një ndeshje e lehtë. ‘Do të ishte diçka shumë e rëndë për mua nëse do të bëhesha unë sebep për t’i humbur titullin Partizanit. Sot bëmë një ndeshje shumë të mirë, po të ishim më të kujdesshëm, do të shënonim golin e dytë. Edhe Partizani kishte momente të mira dhe në momentin kur ne gabojmë si në Gjirokastër, ndeshja doli barazim. Një rezultat që para ndeshjes do të në pëlqente, por kështu si erdhi loja, meritonim tre pikët që do të na ndihmonin shumë për objektivat tona”.
KUNDËRSULMET – “Pasimi i fundit dhe konkludimi i rasteve na penalizoi. Ato janë momente që duhet pak klas, por marrim parasysh lodhjen dhe është e justifikueshme. E rëndësishme për lojtarët e mi është të kuptojnë se kështu fitohen ndeshje, kështu merren pikë. Kështu që, ky futbolli të lë ndonjëherë me gojën thatë”.
KRAHASIMI ME PARTIZANIN E TIJ – “Ka qenë një deklaratë e imja e mëparshme, ku kam folur për Partizanin tim kur kam tetë lojtarë nga skuadra e tanishme, plus Ekuban dhe Torasa. Partizani aktual e meriton plotësisht pozitën që ka. Deklarata ime nuk ka dashur të denigrojë skuadrën aktuale, pasi tetë lojtarë të formacionit janë të njëjtët që kam pasur unë”.