Atletiko dhe Reali u përballën sot në një derbi shumë të fortë, luftarak dhe plot emocione, që u fitua nga “Los Blancos” me rezultatin 1-3. Dueli i zhvilluar në stadiumin “Wanda Metropolitana” u ndoq dhe nga disa juventinë.
Ekipi i Diego Simeones është kundërshtari i radhës në Champions për bardhezinjtë e Alegrit dhe klubi italian nuk i lë asgjë rastësisë. Përfaqësues të klubit ishin sot në stadium për të studiuar ekipin “colchoneros”, por jo vetëm kaq.
Në kampin tjetër luajnë dy nga objektivat kryesorë të Juventusit. Isko dhe Marselo, pa harruar dhe Hames Rodrigezin e Bajernit, kartonin e së cilit e zotëron Reali i Madridit.
Isko është një nga objektivat kryesorë të klubit torinez, që dëshiron të përfitojë nga situata e vështirë e lojtarit. 26-vjeçari nuk luan në formacion që nga 28 tetori i kaluar në disfatën e thellë 5-0 me Barcelonën, ndërsa vijon prej tre ndeshjesh të mos grumbullohet nga Santiago Solari.