Marek Hamshik është kapiteni dhe simboli i Napolit. Sllovaku aktivizohet me ekipin e Ançelotit që nga viti 2007 dhe gjatë kësaj periudhë ka refuzuar shumë oferta. Besnik i ekipit dhe tifozëve, por mesfushori zbulon një detaj të rëndësishëm, që ka ndodhur në verën e vitit 2016.
31-vjeçari u tundua dhe gjatë kësaj vere nga një ofertë faraonike nga Kina, por në fund vendosi zemra dhe insistimi i Ançelotit, që ai të qëndronte te Napoli. Por, në verën e para dy viteve, Hamshik ishte shumë afër largimit nga Napoli. Dortmundi insistoi për ta ofruar në ekip dhe palët ishin shumë afër, por pa arritur një marrëveshje.
Kapiteni flet dhe për trajnerin e ri, Karlo Ançeloti. Një trajner i madh, fitues dhe një person i mrekullueshëm. Lidhja me lojtarët e tij është pika më e fortë e Karletos dhe nuk ekziston asnjë futbollist, i cili mund të flasë diçka negative për të. Hamshik flet me admirim për trajnerin e tij dhe zbulon faktin që e surprizon më shumë te Ançeloti.
DORTMUNDI – “Isha shumë afër Dortmundit dhe negociova me klubin gjerman, është e vërtetë. Por, negociatat nuk ishin kaq të thjeshta. Më thanë se Dortmundi duhet të shiste disa lojtarë përpara se të më merrnin mua. Tratativat u zvarritën deri në muajin gusht. Në atë kohë kisha nisur fazën përgatitore me Napolin dhe nuk desha të largohesha.”
KARLETO – “Ançeloti është një trajner i madh. Ai e di se si funksionon një skuadër, di si të komunikojë me lojtarët profesionistë dhe, për më tepër, është një person të cilin thjeshtë e adhuron. Ai ka fituar shumë si trajner dhe kjo mjafton për të kuptuar vlerën e tij. Të surprizon me faktin që nuk stresohet dhe tensionohet kurrë, përkundrazi, është shumë i ftohtë.”