Një tjetër talent shqiptar ka debutuar në Serie B. Bëhet fjalë për Marash Kumbullën, i cili u aktivizua për skuadrën e Veronës në fitoren e djeshme 4 – 0 ndaj vizitorëve të Çitadelës. Lojtari i kombëtares shpresa të Shqipërisë u fut në lojë si zëvendësues në minutën e 74-të, kur rezultati i ndeshjes ishte 2 – 0 për ekipin vendas.
Mbrojtësit 18-vjeçar i është dashur të tregojë shumë durim, pasi ndeshja e djeshme ishte 17-ta, që e shikonte nga stoli i rezervave, por në ndryshim nga herët e tjera, trajneri Fabio Groso, vendosi t’i jepte debutimin e shumëpritur në një ndeshje kampionati.
Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, Kumbulla u shpreh mjaft i gëzuar për debutimin, duke shkruar: I gëzuar për debutimin tim në Serie B, por akoma më i kënaqur për fitoren e skuadrës.
Debutimi i Kumbullës çon në gjashtë numrin e lojtarëve shqiptarë në Serie B, pasi në këtë kampionat luajnë Ledian Memushaj (Peskara), Elhan Kastrati (Peskara), Emauele Ndoj (Breshia), Kastriot Dermaku (Kozenca) dhe Xhakomo Vrioni (Venecia).