Trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi, vlerësoi lojën e skuadrës së tij në takimin e sotëm kundër Flamurit gjatë intervistës për emisionin “Gol pa Goli”.
Tekniku durrsak shpjegoi ndryshimet e bëra në formacion dhe objektivat për ndeshjet e mbetura të kampionatit.
FORMACIONI – “Unë e kam thënë dhe herë të tjera që mund të ndryshojmë formacione në ndeshje të ndryshme. Sot vendosa me Oto Xhon dhe Krasnqin dhe shkoi mirë. Më vjen mirë dhe për fitoren, por vazhdoj të them se ne gjithmonë kemi bërë lojë, sot shyqyr që morëm dhe fitoren. Në fund futa në fushë dhe Kaba Sambunë për t’i treguar që pavarësisht gabimeve që bëri ndeshjen e kaluar ne kemi ende besim tek ai”.
EUROPA – “Ky kampionat kështu është, rivalët do të përplasen me njëra-tjetrën. Të gjitha ekipet që duan Europën do të luftojnë shumë, do të ketë përplasje. Kjo fitore na u desh shumë për të vazhduar e për të ecur përpara”.
TIFOZËT – “Në radhë të parë, më vjen mirë që skuadra luan mirë për të kënaqur publikun, që ka qenë i pakënaqur nga rezultatet. E dimë se ky vit ka qenë i vështirë, por sot u shfaq ai Skënderbe dominues. Duhet ta ruajmë këtë uri, pasi në të kundërt, nuk mund të bëjmë asgjë. Ndeshjet e mbetura, duhet të japim 200%”, përfundoi Shehi.