Për Milot Rashicën, ky sezon në Bundesliga ishte i shkëlqyer. Nëntë gola dhe pesë asiste për yllin e Kosovës në kampionatin gjerman të futbollit, një statistikë shumë e mirë. Rashica shpërtheu në gjysmën e dytë të sezonit dhe faqja zyrtare e Verder Bremenit, e ka krahasuar me: “Raketa që ndezi turbon”.
Vetë sulmuesi 22-vjeçar ka folur për mediat gjermane për sezonin e tij, ku u shpreh: “Kam pasur disa vështirësi në fillim të sezonit, por jam shumë i kënaqur me mënyrën si jam paraqitur. Personalisht, mendoj se kam bërë shumë mirë dhe i kam arritur objektivat që i kisha vendosur vetes, por thjesht do të doja që skuadra të arrinte gjëra më të mëdha.
Por asgjë nuk ka mbaruar dhe ky është vetëm fillimi. Sezonin tjetër, nisemi sërish. I kemi vënë syrin disa objektivave ambiciozë dhe duam të arrijmë shumë. Dhe unë personalisht, dua të arrij gjëra të mëdha dhe do të punoj shumë për këtë gjë”, u shpreh ylli i Kosovës.