Serie A starton sot me ndeshjen Kievo – Juventus në orën 18:00 dhe Lacio – Napoli në 20:45. Sfida në Olimpiko ëshë disi e veçantë pasi do të kemi një numër rekord lojtarësh shqiptarë. Merkatoja e verës ka shtuar numrin e lojtarëve shqipfolës te skuadra e Lacios.
Igli Tare solli gjatë kësaj merkatoje vere Valon Berishën dhe Riza Durmishin. Kapiteni i përfaqësueses së Kosovës u përfol se e kishte humbur takimin hapës të kampionatit, por sipas “Gazzeta dello Sport”, mesfushori ka gjasa ta nisë nga stoli ndeshjen, pasi rikuperimi nga dëmtimi ka qenë shumë i kënaqshëm. Ndërsa, shqiptari që luan me përfaqësuesen daneze, ka shumë shanse ta nisë që nga minuta e parë, duke qenë se kapiteni Senad Luliç është në dyshime. Strakosha si zakonisht e nis si titullar.
Te Napoli, nuk dyshime për mbrojtësin e kombëtares sonë, Elseid Hysaj. Shkodrani është titullari absolut edhe në sytë e trajnerit Karlo Ançeloti. Fillimisht, transferimi i mbrojtësit të Nicës, Kevin Malkuit, krijoi përshtypjen se Hysaj do kishte më pak minuta, por kemi të bëjmë thjesht më një lojtar stoli. Shto këtu dhe faktin që Ançeloti është ndër ata trajnerë, i cili nuk njihet për rotacione të shumta, prandaj mund të themi se minutat për Hysajn do të jenë me bollëk.