Çesk Fabregas është thuajse një lojtar i Monakos dhe Çelsit i duhet që të zëvendësojë hapësirën që ka lënë mesfushori spanjoll me largimin e tij. Nga ajo që thuhet në mediat italiane dhe angleze, Mauricio Sarri thuhet të ketë kërkuar nga drejtuesit e klubit londinez një zëvendësues për largimin e Fabregas dhe konkretisht italiani ka dhënë një emër.
Bëhet fjalë pikërisht për talentin e Kaljarit, Nikolo Barelën. Mesfushori, të cilin Sarri e njeh mjaft mirë, që nga koha kur drejtonte Napolin, kërkohet nga shumë klube, sidomos nga Serie A, por jo vetëm, pasi dhe Liverpuli ka qenë në garë për 21-vjeçarin.
Kështu, blutë thuhet të kenë bërë gati ofertën e parë për talentin e kombëtares italiane, i cili vlerësohet nga drejtuesit e Kaljarit të paktën 40 milionë euro. Barela, prej tre sezonesh është titullar dhe një ndër lojtarët më të rëndësishëm tek ekipi nga Sardenja.