Ndeshjet në transfertë janë kthyer në një makth për Çelsin. Blutë e Londrës kanë humbur katër nga pesë takimet e fundit dhe skuadra rrezikon të mos sigurojë një vend në Champions për të dytin vit radhazi.
Në daljen për shtyp pas ndeshjes ndaj Evertonit, ku skuadra e tij u mund me rezultatin 2 – 0, trajneri i Çelsit Mauricio Sarri theksoi se skuadra e tij po kalon një problem psikologjik.
“Pjesën e parë luajtëm futbollin më të mirë që kemi bërë ndonjëherë, po të vazhdojmë të luajmë ashtu dhe në pjesën tjetër të sezonit nuk kemi pse të shqetësohemi. Pjesa e dytë ishte për t’u harruar. Mendoj se kemi një problem mentaliteti. Krijuam gjashtë ose shtatë raste për shënim, në futboll është e pafalshme po të mos shënosh me kaq shumë raste”.
“Mund ta kapim vendin e katërt. Nuk e kuptoj pse flitet sikur është diçka e pamundur. Na mbeten edhe tëtë ndeshje deri në fund. Por e përsëris duhet që në këto tetë të ndeshje të luajmë si në pjesën e parë”.
HIGUAIN – “Higuan po vuan në këto momente, kjo është e dukshme. Ka pasur probleme këtë javë në stërvitje dhe ende s’mund të luajë 90 minuta. Sigurisht që mund të bëjë më mirë, duhet të përmirësohet nga ana fizike dhe mendore”, tha Sarri.