Sabien Lilaj e mbylli me Gabala dhe tashmë është lojtar i lirë. Mesfushori, i cili ka qenë një nga pikat më të forta të Skënderbeut në vitet e fundit, mund të rikthehet në Superiore. Së fundmi ai është kontaktuar nga Kukësi dhe është lënë e hapur mundësia e një bashkëpunimi.
Gjithsesi Lilaj është treguar i sinqertë dhe është shprehur se dëshira e tij është që të luajë jashtë dhe po pret diçka. Nëse nuk do të realizohet një transferim jashtë vendit, atëherë mund të flasë për kushtet e kontratës me Kukësin.
Mesfushori në të shkuarën ka luajtur në Europë me skuadrën e financuar nga presidenti Safet Gjici. Në verën e vitit 2016 Skënderbeu e huazoi te verilindorët dhe Lilaj luajti në dy ndeshjet me Austrinë e Vjenës. Më pas u rikthye sërish te korçarët. Kukësi ka tentuar edhe më parë ta afrojë 30-vjeçarin dhe ky duket momenti më i volitshëm për ta bindur.