Zhoze Murinjo u shkarkua nga Mançester Junajtid, duke i dhënë fund një qëndrimi prej dy vitesh e gjysmë te “Djajtë e Kuq”. Trajneri portugez arriti të fitonte tre trofe me skuadrën angleze, por fundi i aventurës së tij ishte shumë i shëmtuar.
Një detaj interesant shkarkimit të Murinjos është fakti se asnjë prej lojtarëve të Mançester Junajtid nuk e ka falënderuar atë me një postim në rrjetë sociale, diçka kjo që është bërë e modës sa herë një trajner largohet, me ose pa dëshirë nga klubi.
Mjafton të kujtojmë se kur Zinedin Zidan u largua nga Real Madrid në muajin qershor, vetëm një lojtar i Real Madrid nuk e shprehu mirënjohjen e tij për teknikun francez. Bëhet fjalë për uellsianin Gareth Bejl, i cili në vitin e fundit të Zidan në krye të madrilenëve nuk arriti të zinte një vend në formacionin titullar.
Kthehemi te Murinjo dhe Mançester Junajtid. Kjo shpërfillje e lojtarëve, tregon qartazi se sa shumë kishte degraduar raporti i teknikut portugez me lojtarët. Duhet përmendur se gjatë “sundimit” të portugezit te Mançester Junajtid, ai ka pasur zënka të shumta me një pjesë të madhe të lojtarëve, disa prej tyre janë: Bastian Shvajshtajger (e përjashtoi nga stërvitja), Luk Shou, Erik Beili, Henrik Mkitarjan, Pol Pogba dhe Antoni Marsial.