Laçi është në kërkim të përforcimeve dhe në këtë periudhë merkatoje emrat që qarkullojnë janë të shumtë. Kurbinasit po tentojnë lojtarë për çdo rol, ndërkohë që për qendrën e prapavijës ka dalë në skenë edhe mbrojtësi Rustem Hoxha.
Ky i fundit është kontaktuar së fundmi nga Teuta, ndërkohë që në të shkuarën ka pasur bisedime me Laçin. Gjithsesi palët nuk gjetën gjuhën e bashkëpunimit dhe qendërmbrojtësi iu bashkua Luftëtarit. Tanimë është i lirë dhe në ditët në vijim pritet të mësohet ekipi i tij i ri.
Në kampin kurbinas nuk ndihen mirë kur lexojnë që lojtarë të ndryshëm lidhen me klubin e tyre dhe vetë presidenti Pashk Laska është shprehur për SportEkspres se po punojnë për ta përforcuar ekipin me lojtarët e duhur, por Hoxha nuk është në planet e tyre.
“Kemi nisur nga puna me merkaton dhe po mundohemi të afrojmë në ekip lojtarët e duhur që të na ndihmojnë në realizimin e objektivave tona. Kam lexuar që Rustem Hoxha është pranë klubit tonë, por ua them hapur që ai nuk bën pjesë në planet e Laçit. Në ditët në vazhdim do të mësoni edhe lëvizjet që do të bëjmë. Pa u arritur marrëveshjet nuk mund të flasim për emra konkretë”, u shpreh numri një i klubit kurbinas.