Shefi i klubit të Bajern Mynihut Karl-Hainc Rumenige ka folur mbi lajmin e bujshëm që qarkullon në Gjermani për një firmë të parakohshme të talentit të Shtutgartit, Benxhamin Pavard, me kampionët e Bundesligës. Drejtuesi 62-vjeçar pranoi se bisedimet janë në një fazë shumë të avancuar, por ai tha se në lajme qarkullojnë edhe shumë të pavërteta.
“Kemi pasur shumë lajme merkatoje gjatë javëve të fundit dhe nuk më pëlqen të flas për të tilla gjëra. Sa për lajmin e Pavard dua të them se jemi në bisedime, por situata nuk është aq e thjeshtë sa është përshkruar në lajmet që kam parë dhe lexuar unë gjatë ditëve të fundit”.
Rumenige u tregua shumë i kujdesshëm me pyetjet e gazetarëve, sidomos atë të merkatos, duke mohuar çdo lajm e duke i qëndruar besimit se Niko Kovaç ka në përbërje një skuadër të kompletuar të aftë të luftojë për titullin e Bundesligës dhe trofeun e Champions-it. Mesa duket tifozët bavarez do duhet të kënaqen vetëm me afrimin e të riut Serg Gnabri dhe, ndoshta mbrojtësit Pavard.