Rrugëtimi i Kristi Kotes, “demit” korçar që e krahasonin me Shkëmbin

Kristi Kote, lindur më 26 shtator 1998. Vendlindja, Korçë. Aktualisht lojtar i Partizanit. Shumëkush që e ka parë të zbresë në fushë me fanellën e kuqe nuk e njeh djaloshin, që është pjesë e kryesuesve të Superiores. Nuk ka mbirë nga hiçi. Koten në qytetin juglindor e njohin mirë.

Sapo nisi të shkëlqente me moshat nisën krahasimet e para. “Do të jetë pasardhësi i Bledi Shkëmbit”. Kjo thuhej që në vitin 2015. Nuk i kish mbushur ende 17 vjeç dhe Mirej Josa, asokohe trajneri i Skënderbeut, e afroi në ekipin e parë. Aty ishte edhe Shkëmbi, i cili mbante shiritin e kapitenit.

Në moshën e tij sigurisht që Kote ngazëllehej kur e krahasonin me Shkëmbin, pasi ishte idhulli i një qyteti. Për të ishte një shtysë më shumë për të tentuar të bëhej futbollist profesionist. Kristi e shihte si privilegj diçka të tillë dhe kishte nisur të ëndërronte gjëra të mëdha. Pse jo, ishte edhe pjesë e moshave të kombëtares.

EKSPERIENCA TE KOMBËTARET – Kote, ndër bashkëmoshatarët e tij, ka qenë nga më të spikaturit. Për këtë arsye ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te Shqipëria U17. Mesfushori qendror ka luajtur në 6 ndeshje zyrtare me paratërinjtë dhe më pas në tre ndeshje të tjera me të rinjtë.

Nuk do mend që cilësitë nuk i mungonin. Por ishte i vogël dhe për t’u bërë futbollist profesionist duhen shumë gjëra. Tanimë Kote duket se po gjen vetveten. Po merr minuta te Partizani dhe është një ekip që mban vendin e parë në kampionat. Ndoshta mund të fitojë edhe një vend te Shpresat. Gjithsesi për të parësore është të ketë minuta e të luajë.

HAJDUKU DHE RIBASHKIMI ME SHKËMBIN – Mesfushori, ashtu si shumë të rinj, dëshironte të provonte të luante jashtë vendit. Në nëntor të vitit 2015 provoi të bindte kroatët e Hajdukut të Splitit. Iu nënshtrua provës dhe e kaloi me sukses. Pas një viti në Kroaci gjërat atje ndryshuan, pasi në klub pati një revolucion.

Për Koten dhe shumë të tjerë duhej sërish të kalohej prova. Gjithsesi korçari vendosi të kthehej në shtëpi. Sërish me moshat e Skënderbeut. Gjatë kësaj periudhe shumë gjëra kishin ndryshuar. Bledi Shkëmbi tanimë e kishte lënë futbollin e luajtur dhe nisi eksperiencën e tij si trajner.

Ish-fantazisti mori drejtimin e Lirisë dhe mendoi t’i jepte shansin e parë si profesionist. Pas eksperiencës së parë me bardhezinjtë, shumica e lojtarëve shqiptarë u largua me ikjen e Shkëmbit. Kote ndoqi të njëjtën rrugë. I pëlqente Tirana.

 

RRUGËTIMI I RI – Kote është ende i ri. Vetëm 20 vjeç. U rikthye në Shqipëri këtë verë dhe dëshironte të qëndronte në kryeqytet, ku mundësia për të gjetur ekip është më e madhe. Por as shkollimi nuk duhej lënë mënjanë.

Superiorja është dëshira për shumë lojtarë të rinj dhe mesfushori iu bashkëngjit Kamzës.  E kaloi provën apo jo, pak rëndësi ka. Mbi të gjitha duhet të gjente një ekip ku t’i jepej mundësia të luante. Kote më pas vendosi t’i bashkohej Partizanit B.

Dy javë aty dhe një miqësore me Tërbunin i dha mundësinë atij të tregonte vlerat e tij përballë trajnerit Skënder Gega. Merkato ishte mbyllur dhe fillimisht duhet të debutonte me ekipin e dytë. Më pas nuk kishte më pengesa dhe tashmë ka provuar të debutojë në Superiore.

Sigurisht nuk është Bledi Shkëmbi. Tani po kërkon të ndërtojë vetë rrugën e tij dhe më parë ish-fantazisti i Skënderbeut ka kaluar përmes Kroacisë dhe Partizanit. Edhe Kote po e “imiton” disi, por duke qenë vetvetja. Rrugëtimi si profesionist ka nisur…

/PËRGATITI: VLADIMIR PRENGA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online