Juventus nga ana tjetër, vjen pas disfatës befasuese në mesjavë ndaj Mançester Junajtid. Bardhezinjtë panë t’i përmbysej rezultati brenda në shtëpi nga ekipi i Zhose Murinjos dhe ajo humbje mund të ndikojë dhe mbrëmjen e sotme. Lajmi i vetëm i mirë i ndeshjes së kaluar ishte Kristiano Ronaldo, i cili u zhbllokua me fanellën bardhezi edhe në Champions.
Pikërisht Kristiano Ronaldo, do të zbresë në “San Siro” sot për të gjashtën herë në karrierën e tij. Në pesë sfidat e kaluara, portugezi nuk ka arritur të tundë rrjetën dhe Milano duket se është kthyer në një makth për sulmuesin. Më parë 33-vjeçari e ka vizituar “San Siron”, dy herë me fanellën e Junajtid dhe tre herë me Realin.
Në kohën që luante me Mançesterin, portugezi ka pësuar dy disfata, të dyja ndaj Milanit. Në vitin 2005, humbiste 1-0 ndaj kuqezinjve, ndërsa dy vite më vonë e pa veten jashtë Championsit, pas humbjes 3-0, ku më pas Milani dhe fitoi kompeticionin. U rikthye përsëri, tashmë me fanellën e Realit, por përsëri pa sukses, teksa madrilenët barazuan 2-2 ndaj kuqezinjve në vitin 2010, por Kristiano nuk la përsëri gjurmë.
Gjithsesi, Ronaldo e ruan një kujtim të bukur nga stadiumi mitik. Finalja e Championsit e vitit 2016. Pavarësisht se në atë ndeshje 33-vjeçari nuk arriti të shënonte, arriti që të ngrinte trofeun në fund. Penalltia deçizive dhe e fundit u shënua nga ai, për t’i hapur rrugë festës së Realit. Ndoshta mbrëmjen e sotme portugezi mund të thyejë një tabu.