Merkatoja e janarit ka kohë dhe dy muaj që të nisë, por klubet kanë filluar të lëvizin për të përforcuar repartet, që kanë çaluar në gjysmën e parë të sezonit. Një nga këto ekipe është Roma, e cila e ka nisur me ulje-ngritje këtë sezon, sidomos në kampionat, ku e sheh veten në vendin e tetë të renditjes, në kuotën e 15 pikëve.
Pikërisht lidhur me merkaton e janarit, ekipi verdhekuq duket se ka arritur marrëveshjen për të bërë një goditje mjaft të bujshme. Bëhet fjalë për mesfushorin meksikan të Portos, Hektor Herrera, i cili kërkohet dhe nga klube të tjera të mëdha, por me sa duket kryeqytetasit italianë janë treguar më konkretë se ekipet e tjera.
Siç raportojnë mediat në Itali dhe Portugali, mesfushori 28-vjeçar ka arritur marrëveshjen me Romën për t’u bërë lojtar i tyre sezonin e ardhshëm. Meksikani ka një kontratë, që e mban të lidhur me Porton deri në 30 qershor dhe siç është bërë me dije dhe më parë nga lojtari, nuk do të ketë rinovim. Pra, Roma do të marrë shërbimet e Herrerës duke mos paguar asnjë detyrim te Porto.
Nuk përjashtohet dhe ndonjë rrjedhë tjetër në momentet e fundit, por sipas gjasave Hektor Herrera, do të jetë një lojtar i Romës duke nisur nga sezoni i ardhshëm. Verdhekuqtë mposhtin kështu klube të mëdha si Arsenal, Inter apo Napoli, të cilat interesoheshin për shërbimet e meksikanit, i cili mban veshur fanellën e Portos, që nga viti 2013.