Teuta u shkëput nga dy vendet e kreut fundjavën e hskuar, duke pësuar një humbje përballë Luftëtarit me rezultatin minimal 1-0. Në sfidën përballë gjirokastritëve, Shkëmbi bëri pa shërbimet e kapitenit Tefik Osmani, i cili ka qenë një ndër lojtarët më të mirë në prapavijë.
Pas atij kartoni të kuq kundër Kukësit, Osmani mungoi përballë Luftëtarit, por për sfidën kundër Skënderbeut do të jetë në dispozicion të teknikut Shkëmbi. Megjithatë, te Teuta nuk ka vetëm rikthime, pasi Sidibe do të mungojë për shkak kartonësh.
Edhe mesfushori afrikan ka qenë shumë i rëndësishëm për Shkëmbin dhe mungesa e tij pritet të ndikojë te loja e durrsakëve. Te “Djemtë e Detit”, sytë janë nga Armando Vajushi, mesfushori i afruar në merkaton e janarit.
Ish-futbollisti i kombëtares nuk ka debutuar ende me fanellën e Teutës për shkak të problemeve fizike. Kundër Skënderbeut, Vajushi mund të jetë në dispozicion të teknikut Shkëmbi dhe ndoshta edhe do të debutojë përballë kampionëve në fuqi.