Komentet ishin të shumta, madje pati edhe kërcënime. Gjithsesi Leonardo Bonuçi u largua nga Milani pas vetëm një sezoni dhe u rikthye te Juventusi. Nuk ka qenë e lehtë për të, por qendërmbrojtësin tregon se i është dukur sikurse kurrë nuk ishte larguar nga bardhezinjtë.
Në një intervistë për “Corriere dello Sport” ai flet për lidhjen e tij me Juventusin, të ardhmen si trajner, raportin me Kielinin dhe Barzaljin. Gjithashtu ai komenton edhe Ronaldon si njeri, jo si lojtar.
Leonardo, si ishte dita kur vendose këmbët në dhomat e zhveshjes së Juventusit? Çfarë ndjesie provuat?
-Ishte një ndjenjë e çuditshme. Isha në një vend të ri, por më dukej sikur nuk isha larguar kurrë. Ky stadium, kjo skuadër dhe ky qytet janë shtëpia ime. “Çdo udhëtim e ka një kthim”. Dhe unë jam kthyer. Kam gjetur të njëjtat fytyra, të njëjtat vende dhe të njëjtat përqafime. Është bukur të kthehesh në dhomash e zhveshjes dhe kur të kthesh kokën të shohësh Barzaljin dhe Kielinin.
Çfarë është BBC për ju?
-Është miqësi, është një eksperiencë, është harmoni profesionale dhe njerëzore. Është sinergji, kjo është e gjitha. E kemi parë në vitet kur fituam së bashku, luajtëm së bashku dhe jetuam së bashku. Ne të tre dhe B-ja e madhe e shtypit që duhet të shtohet, ajo e të madhit Xhixhi Bufon
Ronaldon ne e shohim në fushë, por si është ai si njeri?
-Një djalë i përulur, i disponueshëm, një stimul për të gjithë ne. Kur sheh një lojtar klasi të stërvitet me intensitet, me dëshirë, me qëndrueshmërinë që ka në moshën 33-vjeçare pasi ka fituar pesë “Topa të Artë”, mund ta admironi dhe të përpiqeni ta kopjoni. Në nivelin e qëndrueshmërisë, profesionalizmit, me praninë e tij në fushë dhe në dhomat e zhveshje, Ronaldo mund t’iu mësojë shumë.
Si e imagjinoni të ardhmen tuaj?
-Ëndrra ime është të bëhem trajner i rëndësishëm i një skuadre të madhe, mundësisht i Juventusit. Kjo është arsye pse unë jam duke vëzhguar dhe duke vënë mënjanë sekretet e trajnerëve të ndryshëm. Më pas do përpiqem të marr më të mirën nga vetja ime. Ka shumë njerëz që më thonë: “Ti do bëhesh trajner”. Në fakt kjo ka qenë diçka që unë kam qenë duke e menduar prej vitesh. Do ishte mirë të vazhdoja në futboll kështu, ndoshta te Juventusi im.