Milani mori një fitore me vlera një natë më parë ndaj Kievos, teksa triumfoi 1-2 në transfertë. Xhenaro Gatuzo u përjashtua nga stoli, duke u çuar në tribunë nga arbitri kryesor, për shkak të një incidenti që trajneri pati me lojtarin e Kievos, Mexhiorinin.
Pas ndeshjes, për mediat foli zv/trajneri, Luixhi Ricio, i cili tha se Gatuzo u sqarua me Mexhiorinin dhe se janë gjëra që nodhin. Gjithashtu, numri dy i pankinës së kuqezinjve, foli për ndeshjen, sjelljen e ekipit të tij si dhe derbin e javës së ardhshme ndaj Interit.
GATUZO – “Në fund të ndeshjes i sqaroi gjërat me Mexhiorinin. Gjëra të tilla ndodhin në fushë. Prezenca e Gatuzos në stol është mjaft e rëndësishme, pasi na jep diçka ekstra.”
NDESHJA – “Mund ta menaxhonim më mirë situatën te goli i Kievos. E dinim që do të kishim vështirësi. Gjithsesi, i dimë vlerat tona dhe e dimë që mund të përmirësohemi akoma më shumë.”
EKIPI – “Ajo çfarë djemtë po tregojnë në fushë, shkon përtej aftësive teknike. Sjellja po bën diferencën, si për shembull, kur sheh dy sulmuesit e krahut, të cilët kthehen prapa për të ndihmuar mbrojtjen.”
BILJA – “Siç ka thënë dhe Gatuzo, Lukas është një lojtar i rëndësishëm për ne, brenda dhe jashtë fushe. Jemi të lumtur që bëri një performancë fantastike dhe për më tepër që arriti të shënonte.”
DERBI – “Për ne, çdo ndeshje është finale. E dimë se sa ekip i fortë është Interi dhe jam i sigurt që jemi gati për të bërë një ndeshje të madhe.”