Tirana pritet të pësojë shumë ndryshime dhe mbrojtja është reparti që më së shumti ka qenë nën akuzë. Golat e pësuar, shpesh për shkak të gabimeve foshnjarake, i kanë bërë drejtuesit të reflektojnë dhe do tentohen të afrohen lojtarë cilësorë.
Vincent Atinga, i cili është aktivizuar në 16 ndeshje me fanellën bardheblu, nuk do të jetë pjesë e Tiranës në sezonin e ardhshëm. Nga qendërmbrojtësit e tjerë, dy prej tyre u kanë përfunduar kontratat. Bëhet fjalë për Marvin Turtullin dhe Eni Imamin.
Ky i fundit ka luajtur në 30 ndeshje në kampionat, kurse tjetri 23. E ardhmja e tyre te Tirana është në dyshim. Në klub po mendohen mirë në lidhje me të ardhmen e këtyre dy futbollistëve. Gjithsesi shumë gjëra do të varen edhe nga çështja e trajnerit.
Ardian Mema me shumë mundësi do të mbetet në krye të bardhebluve dhe nëse kjo ndodh, ai do të thotë fjalën e fundit për lojtarët në fjalë dhe për të tjerë që janë në listën e pritjes për të rinovuar kontratat.