Trajneri i ri i Shqipërisë, Edi Reja, e nisi me humbje aventurën e tij në krye të stolit kuqezi. Pas ndeshjes me Islandën, numri një i pankinës së Shqipërisë tha:
NDESHJA – “Është për të ardhur keq, pasi e nisëm mirë. 20 minutat e para krijuam shumë raste. Pastaj rendimenti fizik filloi të bjerë. Megjithatë, mund të shënonim, pasi na u mohua një penallti. Ajo që prisnim ne nga goditjet e këndit, nuk sollën atë që ne mendonim. Krijuam shumë raste dhe është për të ardhur keq. Disa episode mund të ishin konsideruar penallti”.
GOLI – “Pavarësisht aftësive të dukshme të lojtarit që dribloi, ne nuk duhet ta lejonim. I iku të parit, të dytit, i treti duhet ta ndalte me doemos. Megjithatë, ishin aftësitë e tij”.
ZËVENDËSIMET – “Ajo që tentova me ndryshimet ishte që të bënim një lojë më të shpejtë. Kaçe është një nga lojtarët më të shpejtë që kemi. Patëm nga fundi dhe disa raste që mund t’i shfrytëzonim më mirë, por nuk ia dolëm”, u shpreh Reja për RTSH Sport.
“Bëmë një ndeshje të mirë, patëm raste por nuk i konkretizuam. Nëse nuk e bën diçka të tillë, atëherë është problem. U munduam të krijojmë raste, sikurse edhe ata me goditje standarde. Loja do merrte rrjedhë tjetër po të finalizonim. Shënuan ata dhe ia dolën. Na vjen keq”.
“Do analizoj ndeshjen, do shoh ata që janë lodhur. Do mundohem të bëj një grup që të jenë gati. Do ketë ndryshime. Më vjen keq që nuk morëm rezultat. Punuam mirë nga krahët. Gjithashtu ishte edhe një penallti për ne, të paktën kështu m’u krijua opinioni im. Nuk isha i kënaqur nga arbitrimi, penalltia ishte e dukshme.
“Nuk më pëlqen të luajmë me topa të gjatë. Kam tentuar të luaj poshtë, ia kemi dalë në disa raste ta bënim diçka të tillë. Era ishte kundër nesh pjesën e dytë. Kishte disa faktorë që na kushtëzuan skemën e lojës.”
“Balaj bëri ndeshje të mirë, kthehej edhe në mesfushë. Të dy janë sulmues të fortë fizikisht, ata bënë presing te mbrojtësit. Nuk u shfrytëzuan hapësirat që u morën nga krahët. Në përgjithësi kanë bërë një punë të mirë”, shtoi Reja per Supersport.