Ky sezon ka qenë i vështirë për gjithë Realin e Madridit. Nuk kishte si të ishte ndryshe për Garet Bejl. Uellsiani nuk bën më pjesë te planet e Zinedin Zidan dhe Reali po pret me padurim një ofertë bindëse për ta lënë të lirë uellsianin.
Me shumë mundësi ky do të jetë sezoni i tij i fundit në Bernabeu. Trajneri me deklaratat e tij në media ka konfirmuar faktin se nuk gëzon një marrëdhënie të mirë me 29-vjeçarin dhe nuk e ka në planet e tij për vitin e ardhshëm.
Agjenti i lojtarit ka sulmuar drejtpërdrejt trajnerin francez dhe shprehet se lojtari nuk dëshiron të largohet nga Reali. Nëse “Los Blancos” dëshirojnë ta ndërpresin kontratën dhe ta shesin, klubi duhet të paguajë dëmshpërblimin, ndërsa nuk përjashtohet një rikthim i sulmuesit në Angli.
“Nuk jam i sigurt nëse zoti Zidan dëshiron që Bejl të qëndrojë, por vetë lojtari nuk kërkon të largohet. Një rikthim në Premier Ligë është i mundshëm, nëse dikush (Florentino Perez) fut dorën në xhep dhe na paguan ne atë që mendojmë se e meritojmë. Janë goxha para!”, u shpreh agjenti i Bejl, duke ja bërë gjërat të qarta madrilenëve.