Juventusi nuk po nxitohet në gjetjen e trajnerit të ri, por Andrea Anjeli ka vendosur ta zgjidhë vetë këtë çështje. Mauricio Sarri është kandidati kryesor për stolin bardhezi dhe presidenti ka fluturuar drejt Azerbajxhanit.
Kreu i klubit juventin ka patur disa punë me UEFA-n, ndërsa në Baku gjendet edhe ekipi i Çelsit. Djemtë e Sarrit luajnë sonte finalen e Ligës së Europës përballë Arsenalit. Anjeli ka qëndruar në të njëjtin hotel ku janë akomoduar “Blutë e Londrës”.
Ai ka përfituar për të përshëndetur trajnerin italian, por jo kaq. Të dy janë parë bashkë siç dallohet në foto, indice që tregon qartë se Sarri është i zgjedhuri për vendin e lënë bosh nga Maks Alegri.
Gjithçka do të qartësohet më shumë pas finales londineze, ndërsa Anjeli ka nxituar për t’u rikthyer përsëri në Itali.