E ardhmja e Kristian Pulisiç është gjithnjë e më larg Borusias së Dortmundit. Mesfushori anësor nuk konsiderohet më i pashitshëm nga drejtuesit e klubit gjerman. Drejtori sportiv Mikael Zork zbuloi në një intervistë për “Kicker” se 20-vjeçari nuk do të largohet nga skuadra e tij gjatë merkatos së janarit, por ai la të hapur gjithçka për merkaton e verës.
Interesimi për lojtarin ka qenë mjaft i madh, sidomos nga ekipet e Premier Ligës si Çelsi dhe Liverpul që kanë vite që ia kanë “vënë syrit” amerikanit dhe në rast të një oferte në rangun e 40 milionë Eurove, transferimi i të riut do të ishte çështje e kryer.
Forma e mirë e anglezit Xhejdon Sanço ka bërë që Pulisiç të humbasë vendin e titullarit te kryesuesit e Bundesligës, ndërsa një faktor mund të ndikojë në largimin e tij është dhe kontrata e lojtarit, që mbaron në 2020-ën.